Tuesday, May 8, 2012

Shqiptarët në baltë


Koha kalon dhe shqiptarët zhyten gjithnjë e më thellë në greminë. Si në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Ka vite qe nuk dëgjojmë asnjë zhvillim pozitiv për kombin shqiptar. Çdo ditë vetëm keq e më keq. Edhe zhvillimet e fundit fatkeqësisht pohojnë këtë tezë.

Fillojmë me zhvillimet në Maqedoni. Arrestime spektakolare të shqiptarëve! Terroristë islamik! Vrasin dhe nuk marrin përgjegjësi! Vrasin dhe shkojnë e flinë pa pikë frike në shtëpi? Terroristë se jo mahi! Sigurisht që arrestimet indinjuan të gjithë, por jo edhe politikanët tanë. E qepën gojën për disa ditë e më pas lëshuan nga një fjali sa për sy e faqe. Më qesharak dolën ata që janë në pushtet. Tre katër ditë asnjë fjalë – pastaj, si zakonisht,  mbledhje e kryesisë – dhe në fund një deklaratë nga ish ministri zëdhënës që bënte “be në Skenderbe” se ata nuk do të lejojnë gjykim të montuar! Ndërsa ofendimi, dhuna psikologjike, shkelja e privatësisë, tallja me një popull të tërë nuk janë gjë! Na ftuan për gjakftohtësi! Vdes ta dëgjoj se si do ta arsyetojnë rastin e Haki Azirit nga Shkupi!

Kalojmë në Kosovë! Por çfarë të themi. Miratojnë kodin penal dhe vetëm pas disa ditësh dalin dhe thonë të kundërtën! Sigurisht se kur e miratuan kanë qenë të dehur se ndryshe nuk ka si arsyetohet një qëndrim i tillë! Kështu ia lehtësuan punën Atifetes! Ajo e ktheu kodin për rishqyrtim. Zgjedhjet serbe janë një provë tjetër e shtetësisë së munguar të Kosovës! Me muaj na bombarduan me deklarata bombastike se nuk do të lejojnë zgjedhje lokale në Kosovë dhe në fund vrapuan të na bindin se ato zgjedhje nuk kanë”legalitet dhe legjitimitet”! Kështu deklaroi ish kryeministri ministër azgan i punëve të brendshme!

Shqipëria! Rama takon Metën! Zgjedhja e presidentit na qenka prioritet për integrimin e Shqipërisë, prandaj duhet harrojmë se pikërisht ai, Meta, ishte arsyeja që ky, Rama, ftoi shqiptarët të protestojnë më 21 janar ku humbën jetën katër protestues! Kjo e fundit s’qenka rëndësi! Me rëndësi është presidenti konsensual! Kështu ka thënë Arvizu (që tallin shqiptarët më 8 maj) dhe Fyle (që Shqipërisë i ka numëruar 12 kërkesa dhe ku nuk figuron zgjedhja e presidentit) dhe ne duhet të “lëpijmë gjithçka që kemi pështyrë deri sot”! Kështu, edhe një herë fitoi korrupsioni, fitoi padrejtësia, fitoi Iliri, fitoi Berisha dhe sigurisht se humbës do të jetë Rama! Rilindja shqiptare në koalicion me Ilir Metën – sikur nuk shkon!

Me politika dhe politikanë të këtillë nuk duhet të kemi iluzion për ditë më të mira! Thjesht do të vazhdojmë të lëvizim në rreth pa mundur të bëjmë asnjë hap përpara!

No comments:

Post a Comment