Nuk pyesin dhe nuk interesohen te dinë se cila është gjendja reale e
shqiptarëve të Maqedonisë! As që na pyesim nëse jemi të kënaqur me politikanët
tanë të zgjedhur, vetë zgjedhur e të deleguar. Por ama kohë pas kohe nxjerrin
nga një sihariq sa për të na kujtuar se nuk na kanë harruar! Kanë krijuar disa
miq këndej dhe mendojnë se njohin mirë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë.
Shumë gazetarë, opinionistë ose edhe politikanë nga Shqipëria dhe Kosova
vlerësojnë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë nga raportet që kanë me liderë politik
këtu, dhe harrojnë të kërkojnë me shumë informacione mbi realitetin tek ne! Nëse
e ka ose e ka pasur mik, atëherë çdo gjë përshkruhet me glorifikime. I lartësojnë
aq shumë sa më vjen turp edhe t’i lexoj ose dëgjoj komentet e tyre!
Kohë më parë gjatë një replike në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama iu
referua njërit prej politikanëve tanë si patriot, dhe atë jo i thjeshtë, por si
një definicion për patriotin (duket se nuk ka njohuri se për shqiptarët e
Maqedonisë shembull për patriot është Sali Berisha)! Në këtë kuadër nuk e
kuptoj nëse Edi Rama ishte i sinqertë për atë që tha apo ishte një ironi e tij!
Besnik Mustafaj, ish ministër e ish ambasador ishte lodhur shumë të na sjell
një tregim për heroin e tij modern. Thjesht nuk e kuptova pse ju desh ta bëj një
shkrim të tillë. Dukej pak si pa shije dhe me teprime! Nuk dua të besoj, por
ngjante me një shkrim të porositur.
Nga ana tjetër, nga Kosova nuk rreshtin shkrimet dhe artikujt për Arbën
Xhaferin, duke e ngritur në nivelin e një mendimtari ideal shqiptar, të pa shembull
dhe që vështirë do të shfaqet në një të ardhme të afërt! Baton Haxhiu prin në këtë
fushë! Nuk dua të injoroj faktin se Xhaferi ishte një mendje e veçantë, por
askush nuk merret me politikën që ai zbatoi sa ishte në pushtet. E aty jo
gjithçka ishte mjaltë.
Megjithatë, brenda në Maqedoni gjen gjithnjë e më pak shqiptarë që ndajnë
vlerësime të tilla për këta dhe politikanë të tjerë këtu. Sikur ata që i zgjodhëm
një herë dhe u vetë zgjodhën më pas sa herë që mundën, të ishin patriotë siç i
përshkruan Edi Rama, heronj siç thotë Besnik Mustafaj apo mendimtarë sipas përshkrimit
të Baton Haxhiut, shqiptarët e Maqedonisë nuk do ishin katandisur në këtë
gjendje që janë sot. Dilni e shëtisni nëpër Shkup dhe do ta keni të qartë një
gjë të tillë. Të përbuzur dhe të harruar si nga shteti ashtu edhe nga të
zgjedhurit e tyre. Të degraduar deri në atë shkallë sa i vetmi shpëtim është bërë
anëtarësimi në partinë e patriotit ose në atë të mendimtarit. Ndryshe nuk ke as
bukë për të ngrënë dhe duhet t’ia mbathësh diku në Evropë! Lehtësisht të
manipulueshëm si nga ekstremistët e të gjitha krahëve ashtu edhe nga
politikanët e të gjitha ngjyrave! Ekonomikisht të shkallmuar sa që i vetmi
shpëtim mbetet mbështetja financiare nga familjarët që punojnë ose jetojnë në
perëndim.
Prandaj, vëllezër nga Shqipëria dhe Kosova, ju lutem mos na lavdëroni më se
na morët në qafë! Zbrisni të paktën një herë ndër shqiptarët e Maqedonisë të pa
shoqëruar nga miqtë e juaj politikanë. Ju garantoj se realiteti që do shihni e
dëgjoni do ju bëj të ndjeheni me faj për çka jeni duke thënë!