Këto
ditë më shumë kryetarë komunash vendosën të flasin për gjithçka kanë bërë në
100 ditshin e parë të mandatit të tyre katërvjeçar! Dhe siç ndodh rëndom, folën
për suksese dhe arritje që paraardhësit e tyre nuk mundën t’i bëjnë për katër ose
tetë vite pushtet! Realizuan gjithçka që premtuan, ndërsa ato pak premtimet që eventualisht
mbetën pa u realizuar, janë për faj të ish kryetarëve. Komunat me kryetarë
shqiptarë, para se gjithash, Tetova, Gostivari apo Struga, si zakonisht trashëgojnë
miliona euro borxhe edhe pse paraardhësit e tyre na thanë se tashme kishin
shlyer miliona euro! Nuk e di kush gënjeu, ata dje, apo këta sot? Megjithatë, për
qytetarët jeta vazhdon me moton “sot për nesër” dhe me shpresën se një ditë do
të bëhet më mirë.
Thënë
shkurt e shqip, asgjë të re nuk thanë! Edhe këta si ato të mëparshmit, përsërisin
fraza që tashmë janë më se banale! Çfarë është kjo ironi që dëgjojmë se vetëm
brenda 100 ditëve kanë realizuar, 70, 80 apo edhe 100% të premtimeve
elektorale. Si ta kuptojmë këtë mesazh të tyre? Se janë shumë të zotët, apo se
kërkesat e qytetarëve janë aq të vogla sa mund të realizohen për tre muaj? Na paskan
mbuluar disa gropa nëpër rrugët e qytetit – punë që, disa punëtorë, mund ta bëjnë
për dy tre ditë. Na paskan paguar pagat e mbetura – punë që bëhet me një të rënë
të lapsit dhe me para publike dhe jo me paratë e xhepit të tyre. Na paskan
nisur iniciativë për të pavarësuar një shkollë – punë që nuk merr më shumë se
një orë për të përpiluar kërkesën!
Nejse!
Do ta pranojmë si të qenë faktin se për 100 ditë realizuan pjesën dërmuese të
premtimeve! Dakord! Tani, rrjedhimisht shtrohet pyetja: çfarë do të bëni në 3
vite e 9 muaj të mbetura të mandatit? Nëse i referohemi traditës, do të thotë
se do angazhoheni, që kryetarit të ardhshëm të komunës që do vij pas jush, t’i
leni sa më shumë borxhe, të mbushni administratën lokale me njerëz tuaj, të
leni rrugët të çahen e hapen përsëri, të uzurponi çdo hapësirë për ndërtime si
t’ju teket, të blini ndonjë veturë të re zyrtare se ajo e vjetra nuk ju pëlqen,
të shfaqeni nëpër ceremoni dhe rituale që organizohen nga të tjerët sa për të
na treguar se jeni ende gjallë dhe në krye të komunës; të kërkoni ndonjë qytet
në Shqipëri ose Turqi për t’u vëllazëruar (çfarë idiotizmi ky!), të prisni në
takime protokollare ambasadorë të vendeve të ndryshme që edhe ashtu nuk kanë çfarë
të bëjnë tjetër në Maqedoni, veçse të bredhin qytet më qytet e fshat më fshat...
Kështu
ka ndodhur me paraardhësit tuaj! Shpresoj që kjo të mos ju ndodh edhe juve! Do
të doja të ndryshohet kjo frymë dhe ky perceptim që shumica e qytetarëve kanë për
komunën si institucion. Ajo të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo vetëm një
barrë më shumë për qytetarët. Duhet të bëni diçka që të ndryshoj rrjedha e
ngjarjeve! Që Tetova, Gostivari, Struga të kthehen në qytete bashkëkohore, dhe
jo kasaba siç janë sot! Të shtrohen rrugës sipas standardeve dhe jo të arnohen disa gropa dhe pjesa tjetër e
qyteteve mbetet e izoluar, e dërmuar e dhunuar nga pluhuri dhe plehrat! Të vendoset
rregull në ndërtime dhe jo çdo kush të ndërtoj si i kujtohet sepse ka lidhje në
komunë! Kur niset një projekt – t’i shkohet deri në fund (e jo si rruga e
Gostivarit në Tetovë (intelektualet dhe gazetarët e quajnë “Ilindenska”)) që është
harruar kur ka filluar të ndërtohet dhe akoma nuk është përfunduar. Çdo projekt
të jetë i menduar mirë që të ketë jetëgjatësi dhe jo të mund të prishet sapo të
vij në pushtet kryetari tjetër (si sheshi i Gostivarit që herë hapët e herë
mbyllet për trafik). Në Tetovë thuajse nuk gjen një park ose një hapësirë të
gjelbëruar! Vetëm beton ose pluhur e baltë! Qentë janë pjesë e zakonshme e
imazheve që vijnë nga qytetet tona – merrni masa ta zgjidhni këtë problem dhe
mos u mjaftoni me akuzat se qentë ua sjellin nga qytetet tjera! Hapësirat përreth
kazanëve të plehrave janë kthyer në zonë të kontaminuar me rrezik të lartë për
jetën! Trotuaret vazhdojnë të uzurpohen nga shitësit me ose pa dyqane! Trafiku
nuk do koment!... Rregulloni këto dhe shumë probleme tjera duke filluar nga
zyrat tuaja të cilët ngjajnë me do ndërtesa gri komuniste që të trishtojnë kur
futesh!
Gjithsesi,
Ju uroj për sukseset e 100 ditëve të para, por vazhdoj të uroj se pas jush, nuk
do të kemi një kryetar të ri që vetëm pas tre muajsh do të dal të na thotë se
sa borxhe ka trashëguar, sa gropa ka mbuluar dhe sa takime të rëndësishme ka
realizuar!