Wednesday, May 9, 2012

Gabim i pafalshëm i Edi Ramës


Brenda dy ditësh humbi gjithçka që me mund ndërtoi në shtatë vitet e kaluara! Ky është Edi Rama! Pranoi rolin e ndërmjetësuesit për zgjedhjen e presidentit konsensual pa menduar mirë se çfarë fiton e çfarë humb. Dhe duket se humbi shumë dhe në fund nuk do të fitoj asgjë. Zgjedhja e presidentit konsensual me Berishën kryeministër nuk i sjell asnjë të mirë Shqipërisë. Berisha nuk i kishte për vete as Moisiun e as Topin, por Shqipëria mbeti aty ku ishte! Ose mbeti aty ku e donte Berisha!

Por c’ju desh kjo patate e nxehtë Ramës! Pse Arvizu e Fyle e “miqtë e tjerë ndërkombëtar” (sa më nervozon kjo shprehje kur thuhet nga politikanët shqiptar) nuk ia kërkuan këtë angazhim Berishës. Ai do ta kishte më të lehtë! Të gjithë, përveç Ramës, i ka në qeveri. Edhe Ilirin, edhe Shpëtimin, edhe Mediun, edhe...! Ndoshta ia kërkuan, por duket se është shumë e vështirë ta fusësh në kurth atë. Nga ana tjetër Rama i ka pikë të dobët ndërkombëtarët. U beson edhe kur duket ashiqare se e tallin (si në rastin e zgjedhjeve të fundit në Tiranë). Dhe nga e gjithë kjo, Berisha ndoshta nuk fitoi gjë, por Rama humbi shumë.  

Një humbje e madhe për Ramën është edhe fakti se takimet i bën në hotele e kafene gjë që, me sa më kujtohet mua, Berisha nuk e bën! Ai të pret në zyrë. Pra Berisha është më zyrtar dhe me më shumë tipare të një burrë shteti (siç e quajti Arvizu), ndërsa Rama bredh sa andej e këndej nëpër kafene e hotele, apo edhe vila private! Kjo tregon jo seriozitet në politikë. Vetëm Fatos Nanon e priti në zyrën e tij në PS dhe askush nuk reagoi negativisht. Po ta bënte një gjë të tillë edhe me Ilir Metën, sigurisht se reagimet negative do të ishin më të pakta. Takime në hapësirat e parlamentit do të ishin zgjidhja më e mirë.

Pas këtij gabimi të pafalshëm politik të Ramës zbehet edhe “rilindja” e tij e premtuar! Sigurisht më pak njerëz do të besojnë në filozofinë dhe programin e tij për një rilindje shqiptare. Edhe kthimi i PS–së në pushtet në 2013 bëhet më i vështirë. Të paktën jo si forcë dominuese. Shqipëria tani duke shumë afër Greqisë për sa i përket ndarjes së votave pas zgjedhjeve. Dhe për këtë fajin e ka Edi Rama.

Historia njeh shumë raste kur një politikan shumë i mirë është dashur të largohet nga skena politike vetëm për shkak të një veprimi të pa menduar mirë politik! Rama duket se bëri një hap të tillë. Ndoshta duhet të filloj të mendoj për një gjë të tillë! Në të mirë të Shqipërisë dhe integrimit të saj– siç thotë shpesh vet ai.

Tuesday, May 8, 2012

Shqiptarët në baltë


Koha kalon dhe shqiptarët zhyten gjithnjë e më thellë në greminë. Si në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. Ka vite qe nuk dëgjojmë asnjë zhvillim pozitiv për kombin shqiptar. Çdo ditë vetëm keq e më keq. Edhe zhvillimet e fundit fatkeqësisht pohojnë këtë tezë.

Fillojmë me zhvillimet në Maqedoni. Arrestime spektakolare të shqiptarëve! Terroristë islamik! Vrasin dhe nuk marrin përgjegjësi! Vrasin dhe shkojnë e flinë pa pikë frike në shtëpi? Terroristë se jo mahi! Sigurisht që arrestimet indinjuan të gjithë, por jo edhe politikanët tanë. E qepën gojën për disa ditë e më pas lëshuan nga një fjali sa për sy e faqe. Më qesharak dolën ata që janë në pushtet. Tre katër ditë asnjë fjalë – pastaj, si zakonisht,  mbledhje e kryesisë – dhe në fund një deklaratë nga ish ministri zëdhënës që bënte “be në Skenderbe” se ata nuk do të lejojnë gjykim të montuar! Ndërsa ofendimi, dhuna psikologjike, shkelja e privatësisë, tallja me një popull të tërë nuk janë gjë! Na ftuan për gjakftohtësi! Vdes ta dëgjoj se si do ta arsyetojnë rastin e Haki Azirit nga Shkupi!

Kalojmë në Kosovë! Por çfarë të themi. Miratojnë kodin penal dhe vetëm pas disa ditësh dalin dhe thonë të kundërtën! Sigurisht se kur e miratuan kanë qenë të dehur se ndryshe nuk ka si arsyetohet një qëndrim i tillë! Kështu ia lehtësuan punën Atifetes! Ajo e ktheu kodin për rishqyrtim. Zgjedhjet serbe janë një provë tjetër e shtetësisë së munguar të Kosovës! Me muaj na bombarduan me deklarata bombastike se nuk do të lejojnë zgjedhje lokale në Kosovë dhe në fund vrapuan të na bindin se ato zgjedhje nuk kanë”legalitet dhe legjitimitet”! Kështu deklaroi ish kryeministri ministër azgan i punëve të brendshme!

Shqipëria! Rama takon Metën! Zgjedhja e presidentit na qenka prioritet për integrimin e Shqipërisë, prandaj duhet harrojmë se pikërisht ai, Meta, ishte arsyeja që ky, Rama, ftoi shqiptarët të protestojnë më 21 janar ku humbën jetën katër protestues! Kjo e fundit s’qenka rëndësi! Me rëndësi është presidenti konsensual! Kështu ka thënë Arvizu (që tallin shqiptarët më 8 maj) dhe Fyle (që Shqipërisë i ka numëruar 12 kërkesa dhe ku nuk figuron zgjedhja e presidentit) dhe ne duhet të “lëpijmë gjithçka që kemi pështyrë deri sot”! Kështu, edhe një herë fitoi korrupsioni, fitoi padrejtësia, fitoi Iliri, fitoi Berisha dhe sigurisht se humbës do të jetë Rama! Rilindja shqiptare në koalicion me Ilir Metën – sikur nuk shkon!

Me politika dhe politikanë të këtillë nuk duhet të kemi iluzion për ditë më të mira! Thjesht do të vazhdojmë të lëvizim në rreth pa mundur të bëjmë asnjë hap përpara!