Wednesday, January 29, 2014

Boll na lavdëruat! Aman!



   Nuk pyesin dhe nuk interesohen te dinë se cila është gjendja reale e shqiptarëve të Maqedonisë! As që na pyesim nëse jemi të kënaqur me politikanët tanë të zgjedhur, vetë zgjedhur e të deleguar. Por ama kohë pas kohe nxjerrin nga një sihariq sa për të na kujtuar se nuk na kanë harruar! Kanë krijuar disa miq këndej dhe mendojnë se njohin mirë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë.

   Shumë gazetarë, opinionistë ose edhe politikanë nga Shqipëria dhe Kosova vlerësojnë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë nga raportet që kanë me liderë politik këtu, dhe harrojnë të kërkojnë me shumë informacione mbi realitetin tek ne! Nëse e ka ose e ka pasur mik, atëherë çdo gjë përshkruhet me glorifikime. I lartësojnë aq shumë sa më vjen turp edhe t’i lexoj ose dëgjoj komentet e tyre! 

   Kohë më parë gjatë një replike në Kuvendin e Shqipërisë, kryeministri Rama iu referua njërit prej politikanëve tanë si patriot, dhe atë jo i thjeshtë, por si një definicion për patriotin (duket se nuk ka njohuri se për shqiptarët e Maqedonisë shembull për patriot është Sali Berisha)! Në këtë kuadër nuk e kuptoj nëse Edi Rama ishte i sinqertë për atë që tha apo ishte një ironi e tij! 

   Besnik Mustafaj, ish ministër e ish ambasador ishte lodhur shumë të na sjell një tregim për heroin e tij modern. Thjesht nuk e kuptova pse ju desh ta bëj një shkrim të tillë. Dukej pak si pa shije dhe me teprime! Nuk dua të besoj, por ngjante me një shkrim të porositur. 

   Nga ana tjetër, nga Kosova nuk rreshtin shkrimet dhe artikujt për Arbën Xhaferin, duke e ngritur në nivelin e një mendimtari ideal shqiptar, të pa shembull dhe që vështirë do të shfaqet në një të ardhme të afërt! Baton Haxhiu prin në këtë fushë! Nuk dua të injoroj faktin se Xhaferi ishte një mendje e veçantë, por askush nuk merret me politikën që ai zbatoi sa ishte në pushtet. E aty jo gjithçka ishte mjaltë. 

   Megjithatë, brenda në Maqedoni gjen gjithnjë e më pak shqiptarë që ndajnë vlerësime të tilla për këta dhe politikanë të tjerë këtu. Sikur ata që i zgjodhëm një herë dhe u vetë zgjodhën më pas sa herë që mundën, të ishin patriotë siç i përshkruan Edi Rama, heronj siç thotë Besnik Mustafaj apo mendimtarë sipas përshkrimit të Baton Haxhiut, shqiptarët e Maqedonisë nuk do ishin katandisur në këtë gjendje që janë sot. Dilni e shëtisni nëpër Shkup dhe do ta keni të qartë një gjë të tillë. Të përbuzur dhe të harruar si nga shteti ashtu edhe nga të zgjedhurit e tyre. Të degraduar deri në atë shkallë sa i vetmi shpëtim është bërë anëtarësimi në partinë e patriotit ose në atë të mendimtarit. Ndryshe nuk ke as bukë për të ngrënë dhe duhet t’ia mbathësh diku në Evropë! Lehtësisht të manipulueshëm si nga ekstremistët e të gjitha krahëve ashtu edhe nga politikanët e të gjitha ngjyrave! Ekonomikisht të shkallmuar sa që i vetmi shpëtim mbetet mbështetja financiare nga familjarët që punojnë ose jetojnë në perëndim. 

   Prandaj, vëllezër nga Shqipëria dhe Kosova, ju lutem mos na lavdëroni më se na morët në qafë! Zbrisni të paktën një herë ndër shqiptarët e Maqedonisë të pa shoqëruar nga miqtë e juaj politikanë. Ju garantoj se realiteti që do shihni e dëgjoni do ju bëj të ndjeheni me faj për çka jeni duke thënë!

Friday, December 27, 2013

Pse “Shqipja e Maqedonisë” është e vogël?

(Shkas për këtë shkrim është opinioni i Blerina Rogova ndaj shkrimit “Shqipja e vogël e Maqedonisë” , botuar me 26 dhjetor 2013 në http://www.zeri.info/artikulli/23757/shqipja-e-vogel-e-maqedonise dhe ne disa portale tjera)


     Më duhej një kohë e relativisht e gjatë për të vendosur nëse duhet hyrë në debat me Blerinën (Blerina, Rogova – Gaxha) pas publikimit të tekstit të saj me titull “Shqipja e vogël e Maqedonisë”! Isha dhe vazhdoj të jem i dyzuar mes asaj që më duhet të pranoj se ka të drejtë në atë që thotë  dhe instinktit tim si shqiptar i Maqedonisë për komentuar faktet mbi të cilat ajo ndërton opinionin e saj për ne.

      Blerina ka shumë të drejtë kur përshkruan Shkupin, Ohrin, Mavrovën dhe Manastirin në atë mënyrë. Përveç në Shkup, thuajse asgjë shqiptare nuk ka në ato qytete e vende. Ndërsa për çudi nuk i paska rastisur të shkoj në Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë. Eh po Blerina, kësaj i thonë të shkosh në varreza dhe të thuash se nuk paska njëri të gjallë! 

      Nga shkrimi i saj i vetmi përfundim që logjikshëm më vjen ndër mend është se ajo paska qenë e ftuar në ndonjë dasmë në Shkup dhe se dasma qenka organizuar në ndonjë lokal me pronar maqedonas. Qenka ndjerë  keq pasi nuk ka kuptuar kamerierët maqedonas. Duket se organizatori i dasmës paska qenë nga ata shkupjanë që preferojnë të jetojnë në pjesën maqedonase të Shkupit dhe të pinë kafe në “trgovski” më arsyetimin se nuk jetojnë dot në një lagje më “fundamentalistët”.

      Gjithsesi, mbresa nga ajo dasmë nuk e arsyeton reagimin e saj, veçanërisht faktin se nuk paska “engjëj shqiptarë” në projektin “Shkupi 2014”. Që në fillim dua të them se më mirë që nuk ka. Të gjithë ato “engjëj” në gur nuk janë gjë tjetër veç se “lugetër” që të frikësojnë në mes të ditës. Nëse me këtë ke dashur të kërkosh që edhe shqiptarët të ishin të pranishëm me ndonjë copë guri aty, atëherë ke rënë drejtë e në prehrin e partisë shqiptare në pushtet. Sa për njoftim: si reagim ndaj këtij projekti, politikanët shqiptarë kërkuan që në qendër të Shkupit të vendosen edhe shqiptarë të gdhendur në gur. Kërkuan gjithandej dhe gjetën tre emra dhe ia dorëzuan qeverisë. Qeveria e pranoi dhe presim që të ato tre skulptura të shfaqen një ditë në ndonjë skutë të sheshit të Shkupit. Kështu aty do të ketë edhe tre “engjëj shqiptar” për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës a Shqipërisë kur të jetë duke shkuar në Ohër ose Mavrovë për plazh ose ski dhe ku do të kenë përsëri mundësinë të komunikoj me kamerierë me ato “tata” në fund!

       Të kuptohemi! Budallallëqet e shqiptarëve të Maqedonisë nuk kanë fund. Janë në gjendje të harxhojnë dhjetëra mijëra euro për një dasmë a për një qejf dhe pastaj gjithë jetën të vuajnë për shkak të atij investimi kot. Në të njëjtën kohë as që çajnë kokën për të mirën e përbashkët, për fatin e tyre si komunitet e si komb. Mjafton t’i kenë punët mirë në shtëpi dhe as që lodhen për çka ndodh rreth tyre. E vetmja gjë me rëndësi për shqiptarët e Maqedonisë është paraja. Janë në gjendje të bëjnë çdo sakrificë vetëm për të pasur një veturë të mirë – mundësisht Golf (dhe një diplomë nga Universet i Tetovës ose ai i Shtulit – pse jo, kur nuk kërkon shumë mund e mend)! Përtej kësaj asgjë nuk është me rëndësi.

       Cilësia e shkollimit në të gjitha nivelet ka rënë në zero. Po e përsëris - zero. Të diplomuarit e universiteteve shqiptare në Maqedoni kanë problem me fjalinë e thjeshtë. Por, gjithsesi, kjo nuk u pengon të marrin një diplomë universiteti dhe më pas të kërkojnë edhe një master! Është kthyer në modë që gratë të bëhen mësuese me çdo kusht, pavarësisht nëse kanë shkollim dhe përgatitje përkatëse, ndërsa burrat me diplomë të punësohen në administratën publike, duke u bërë anëtare partie dhe krejt në fund të behën profesorë universitar. Në gjithë botën e qytetëruar ndodh që njerëz të shkencës të hidhen në politikë dhe të kontribuojnë për vendin e tyre, përderisa tek shqiptarët e Maqedonisë ndodh e kundërta. Fillimisht futen në politikë, bëjnë pak para, blejnë diplomat dhe titujt shkencor dhe bëhen profesor universitar. Numri i profesorëve të dalë nga ky kallëp është i jashtëzakonisht i madh në USHT dhe UEJL! Ndodh edhe kjo: punësohet si administrator i thjeshtë ose roje në universitet; pas katër viteve përfundon studimet në atë universitet, vazhdon me master dhe kthehet në profesor! Kjo quhet ngritje në karrierë tek ne! 

       Politika! Këtu kemi dështuar plotësisht. Jemi pa alternativë. Në pranverën e ardhshme do të kemi zgjedhje – ndoshta dy palë (presidenciale dhe parlamentare) – dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë dy parti që nuk kanë çka të ofrojnë më. Dallimi i vetëm mes tyre janë germat në shkurtesat e emrave që kanë. (Kujdes! Të dyja kanë germën D në shkurtesë sepse pa këtë germë nuk gjen shqiptar në Maqedoni të të votoj). “Kungull e pacërkë” thoshte Qumili në një skeç të tij të vjetër! 

        Feja! Këtu ka marrë rolin primar. Si askund tjetër ndër shqiptarë.  E vetmja gjë që shteti nuk e pengon është ndërtimi i kishave dhe xhamive. Mjafton të gjesh financim dhe mund të ndërtosh ku të duash. Ku duhet e ku nuk duhet. Është kthyer në modë që dy mëhalla të një fshati të zihen për punën e hoxhës dhe ndërtojë secila nga një xhami për vete! Mundësisht xhamia të ketë dizajnin e xhamisë së Zagrebit. Po e bëre ndryshe, s’ke bërë gjë! Minarja duhet të jetë detyrimisht më e lartë se ajo e mëhallës tjetër. Me dy minare – eh kjo është arritje! Çuditërisht para për xhami gjenden kollaj. “Në filan katundin ndërtohet një xhami. Duhet të japim diçka”, është komenti që dëgjohet në jo pak familje shqiptare të Maqedoni ose tek sa bisedojnë me Skype me djemtë e tyre në Evropën Perëndimore! 

        Perla të këtilla gjen sa të duash ndër shqiptarët e Maqedonisë. Megjithatë nuk kam ndërmend të vazhdoj së numëruari. Këto që solla si shembuj janë vetëm për Blerinën që të kuptoj se bazën për ta zvogëluar shqipen e Maqedonisë e ka gabim.

         E pra, ja pse theksova që në fillim se isha në dyshim nëse duhej ose jo të shkruaj këtë koment. As ta “sulmoj” e as ta “mbroj atë shkrim! ”Fryma e shkrimit është në rregull. Reflekton realitetin e hidhur këtu në Maqedoni, por arsyet dhe faktet që merr për bazë nuk janë të qëlluara. Emra të njerëzve te suksesshëm nga këto vise ka plotë. Edhe ngjarje që mund të kujtohen. Megjithatë, Shqiptarët e Maqedonisë të ofrojnë çdo orë e ditë fakte me budallallëqet e tyre pa fund. Prandaj jemi aty ku jemi! Në tunel ku drita e shpresës për një të ardhme më të mirë nuk duket askund!