Të martën e 11 shtatorit në Lucernë të Zvicrës u përballën
ekipi kombëtar i Zvicrës dhe ai i Shqipërisë. Më shumë se një përballje në
futboll, kjo ndeshje u kthye në një debat koti në të cilën u përfshinë jo vetëm
gazetarët e sportit por edhe ata të politikës, kulturës, kronikës së zezë e kështu
me radhë. Nuk mbetën jashtë edhe politikanët. Problemi kyç ishte nëse pesë
lojtarët e skuadrës zvicerane janë apo nuk janë tradhtarë, janë apo nuk janë shqiptarë.
E para që dua të them është se ata sipas dokumentacionit zyrtar që posedojnë janë zviceranë dhe jo shqiptarë. Dhe pikë! Nëse ata ndjehen shqiptar, ky tashmë është një problem i tyre emocional i cili u takon atyre. Historia njeh shumë njerëz të cilët nuk kanë qenë shqiptar, por janë ndjerë shumë të lidhur me shqiptarët. Kjo vlen edhe për popujt e tjerë. Kaq ky muhabet! “Shaqiri nuk festoi golin sepse na qenka shqiptar”! Problem i emocioneve të tij! Mua as që më bëhet vonë nëse do të festoj apo jo. Ai shënoi për ekipin e vet. Kjo është e rëndësishme! Ne që ndjekim futbollin me pasion, dimë shumë raste kur një lojtar bën një veprim të tillë për shkak të lidhjeve emocionale që kanë me një vend, komb apo klub. Më thoni cili është dallimi mes Lichtsteiner dhe Behramit? Unë e di se të dy janë zviceran. Ndoshta kanë prejardhje të ndryshme, njëri gjermane e tjetri shqiptare, por ata janë zviceran.
Fakti që ata mbajnë në trup, mbathje ose dhomat e gjumit simbole shqiptare nuk do të thotë gjë për mua. Lidhja e një njeriu me simbolet është problem emocional i tij! Në praktikë ai mund të sillet ndryshe. Unë desha të fitoj kombëtarja shqiptare edhe sikur përballë të kishte edhe një ekip të përbërë nga 11 shqiptarë emocional. Edhe nëse nesër kombëtarja shqiptare do të duhet të përballet me ekipin e Kosovës, unë do të jem me kombëtaren shqiptare. Në Luzernë humbëm dhe kjo më dëshperoi! Por përsëri shpresoj se do të fitojmë në ndeshjen e radhës.
Shtetësia është një kategori juridike e cila përveç sipas lindjes, fitohet edhe duke e kërkuar atë. Pesë lojtarët e kombëtares së Zvicrës, dhe jo vetëm ata, e kanë kërkuar dhe fituar atë. Kanë menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë. Dhe ndoshta kanë fituar! Prandaj unë nuk shoh asnjë arsye të ndjehem krenar për ta dhe rezultatet e tyre. Unë ndjehem krenar me ata sportistë të cilët janë arsyeja që në stadiume të ndryshme dëgjohet himni kombëtar. Të tillë janë Cana, Bogdani, Ujkani, Dallku, Salihi dhe shokët e tyre dhe jo Xhaka, Shaqiri, Dzemaili, Behrami e Memedi, për të cilët këndohet një këngë që unë nuk e kuptoj.