Wednesday, September 12, 2012

Krenar për Canën e Bogdanin e jo për Shaqirin e Dzemailin!



Të martën e 11 shtatorit në Lucernë të Zvicrës u përballën ekipi kombëtar i Zvicrës dhe ai i Shqipërisë. Më shumë se një përballje në futboll, kjo ndeshje u kthye në një debat koti në të cilën u përfshinë jo vetëm gazetarët e sportit por edhe ata të politikës, kulturës, kronikës së zezë e kështu me radhë. Nuk mbetën jashtë edhe politikanët. Problemi kyç ishte nëse pesë lojtarët e skuadrës zvicerane janë apo nuk janë tradhtarë, janë apo nuk janë shqiptarë.

E para që dua të them është se ata sipas dokumentacionit zyrtar që posedojnë janë zviceranë dhe jo shqiptarë. Dhe pikë! Nëse ata ndjehen shqiptar, ky tashmë është një problem i tyre emocional i cili u takon atyre. Historia njeh shumë njerëz të cilët nuk kanë qenë shqiptar, por janë ndjerë shumë të lidhur me shqiptarët. Kjo vlen edhe për popujt e tjerë. Kaq ky muhabet! “Shaqiri nuk festoi golin sepse na qenka shqiptar”! Problem i emocioneve të tij! Mua as që më bëhet vonë nëse do të festoj apo jo. Ai shënoi për ekipin e vet. Kjo është e rëndësishme! Ne që ndjekim futbollin me pasion, dimë shumë raste kur një lojtar bën një veprim të tillë për shkak të lidhjeve emocionale që kanë me një vend, komb apo klub. Më thoni cili është dallimi mes Lichtsteiner dhe Behramit? Unë e di se të dy janë zviceran. Ndoshta kanë prejardhje të ndryshme, njëri gjermane e tjetri shqiptare, por ata janë zviceran.

Fakti që ata mbajnë në trup, mbathje ose dhomat e gjumit simbole shqiptare nuk do të thotë gjë për mua. Lidhja e një njeriu me simbolet është problem emocional i tij! Në praktikë ai mund të sillet ndryshe. Unë desha të fitoj kombëtarja shqiptare edhe sikur përballë të kishte edhe një ekip të përbërë nga 11 shqiptarë emocional. Edhe nëse nesër  kombëtarja shqiptare do të duhet të përballet me ekipin e Kosovës, unë do të jem me kombëtaren shqiptare. Në Luzernë humbëm dhe kjo më dëshperoi! Por përsëri shpresoj se do të fitojmë në ndeshjen e radhës.

Shtetësia është një kategori juridike e cila përveç sipas lindjes, fitohet edhe duke e kërkuar atë. Pesë lojtarët e kombëtares së Zvicrës, dhe jo vetëm ata, e kanë kërkuar dhe fituar atë. Kanë menduar se në këtë mënyrë do të fitojnë më shumë. Dhe ndoshta kanë fituar! Prandaj unë nuk shoh asnjë arsye të ndjehem krenar për ta dhe rezultatet e tyre. Unë ndjehem krenar me ata sportistë të cilët janë arsyeja që në stadiume të ndryshme dëgjohet himni kombëtar. Të tillë janë Cana, Bogdani, Ujkani, Dallku, Salihi dhe shokët e tyre dhe jo Xhaka, Shaqiri, Dzemaili, Behrami e Memedi, për të cilët këndohet një këngë që unë nuk e kuptoj.

Wednesday, May 9, 2012

Gabim i pafalshëm i Edi Ramës


Brenda dy ditësh humbi gjithçka që me mund ndërtoi në shtatë vitet e kaluara! Ky është Edi Rama! Pranoi rolin e ndërmjetësuesit për zgjedhjen e presidentit konsensual pa menduar mirë se çfarë fiton e çfarë humb. Dhe duket se humbi shumë dhe në fund nuk do të fitoj asgjë. Zgjedhja e presidentit konsensual me Berishën kryeministër nuk i sjell asnjë të mirë Shqipërisë. Berisha nuk i kishte për vete as Moisiun e as Topin, por Shqipëria mbeti aty ku ishte! Ose mbeti aty ku e donte Berisha!

Por c’ju desh kjo patate e nxehtë Ramës! Pse Arvizu e Fyle e “miqtë e tjerë ndërkombëtar” (sa më nervozon kjo shprehje kur thuhet nga politikanët shqiptar) nuk ia kërkuan këtë angazhim Berishës. Ai do ta kishte më të lehtë! Të gjithë, përveç Ramës, i ka në qeveri. Edhe Ilirin, edhe Shpëtimin, edhe Mediun, edhe...! Ndoshta ia kërkuan, por duket se është shumë e vështirë ta fusësh në kurth atë. Nga ana tjetër Rama i ka pikë të dobët ndërkombëtarët. U beson edhe kur duket ashiqare se e tallin (si në rastin e zgjedhjeve të fundit në Tiranë). Dhe nga e gjithë kjo, Berisha ndoshta nuk fitoi gjë, por Rama humbi shumë.  

Një humbje e madhe për Ramën është edhe fakti se takimet i bën në hotele e kafene gjë që, me sa më kujtohet mua, Berisha nuk e bën! Ai të pret në zyrë. Pra Berisha është më zyrtar dhe me më shumë tipare të një burrë shteti (siç e quajti Arvizu), ndërsa Rama bredh sa andej e këndej nëpër kafene e hotele, apo edhe vila private! Kjo tregon jo seriozitet në politikë. Vetëm Fatos Nanon e priti në zyrën e tij në PS dhe askush nuk reagoi negativisht. Po ta bënte një gjë të tillë edhe me Ilir Metën, sigurisht se reagimet negative do të ishin më të pakta. Takime në hapësirat e parlamentit do të ishin zgjidhja më e mirë.

Pas këtij gabimi të pafalshëm politik të Ramës zbehet edhe “rilindja” e tij e premtuar! Sigurisht më pak njerëz do të besojnë në filozofinë dhe programin e tij për një rilindje shqiptare. Edhe kthimi i PS–së në pushtet në 2013 bëhet më i vështirë. Të paktën jo si forcë dominuese. Shqipëria tani duke shumë afër Greqisë për sa i përket ndarjes së votave pas zgjedhjeve. Dhe për këtë fajin e ka Edi Rama.

Historia njeh shumë raste kur një politikan shumë i mirë është dashur të largohet nga skena politike vetëm për shkak të një veprimi të pa menduar mirë politik! Rama duket se bëri një hap të tillë. Ndoshta duhet të filloj të mendoj për një gjë të tillë! Në të mirë të Shqipërisë dhe integrimit të saj– siç thotë shpesh vet ai.