Friday, December 27, 2013

Pse “Shqipja e Maqedonisë” është e vogël?

(Shkas për këtë shkrim është opinioni i Blerina Rogova ndaj shkrimit “Shqipja e vogël e Maqedonisë” , botuar me 26 dhjetor 2013 në http://www.zeri.info/artikulli/23757/shqipja-e-vogel-e-maqedonise dhe ne disa portale tjera)


     Më duhej një kohë e relativisht e gjatë për të vendosur nëse duhet hyrë në debat me Blerinën (Blerina, Rogova – Gaxha) pas publikimit të tekstit të saj me titull “Shqipja e vogël e Maqedonisë”! Isha dhe vazhdoj të jem i dyzuar mes asaj që më duhet të pranoj se ka të drejtë në atë që thotë  dhe instinktit tim si shqiptar i Maqedonisë për komentuar faktet mbi të cilat ajo ndërton opinionin e saj për ne.

      Blerina ka shumë të drejtë kur përshkruan Shkupin, Ohrin, Mavrovën dhe Manastirin në atë mënyrë. Përveç në Shkup, thuajse asgjë shqiptare nuk ka në ato qytete e vende. Ndërsa për çudi nuk i paska rastisur të shkoj në Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë. Eh po Blerina, kësaj i thonë të shkosh në varreza dhe të thuash se nuk paska njëri të gjallë! 

      Nga shkrimi i saj i vetmi përfundim që logjikshëm më vjen ndër mend është se ajo paska qenë e ftuar në ndonjë dasmë në Shkup dhe se dasma qenka organizuar në ndonjë lokal me pronar maqedonas. Qenka ndjerë  keq pasi nuk ka kuptuar kamerierët maqedonas. Duket se organizatori i dasmës paska qenë nga ata shkupjanë që preferojnë të jetojnë në pjesën maqedonase të Shkupit dhe të pinë kafe në “trgovski” më arsyetimin se nuk jetojnë dot në një lagje më “fundamentalistët”.

      Gjithsesi, mbresa nga ajo dasmë nuk e arsyeton reagimin e saj, veçanërisht faktin se nuk paska “engjëj shqiptarë” në projektin “Shkupi 2014”. Që në fillim dua të them se më mirë që nuk ka. Të gjithë ato “engjëj” në gur nuk janë gjë tjetër veç se “lugetër” që të frikësojnë në mes të ditës. Nëse me këtë ke dashur të kërkosh që edhe shqiptarët të ishin të pranishëm me ndonjë copë guri aty, atëherë ke rënë drejtë e në prehrin e partisë shqiptare në pushtet. Sa për njoftim: si reagim ndaj këtij projekti, politikanët shqiptarë kërkuan që në qendër të Shkupit të vendosen edhe shqiptarë të gdhendur në gur. Kërkuan gjithandej dhe gjetën tre emra dhe ia dorëzuan qeverisë. Qeveria e pranoi dhe presim që të ato tre skulptura të shfaqen një ditë në ndonjë skutë të sheshit të Shkupit. Kështu aty do të ketë edhe tre “engjëj shqiptar” për t’i mbrojtur shqiptarët e Kosovës a Shqipërisë kur të jetë duke shkuar në Ohër ose Mavrovë për plazh ose ski dhe ku do të kenë përsëri mundësinë të komunikoj me kamerierë me ato “tata” në fund!

       Të kuptohemi! Budallallëqet e shqiptarëve të Maqedonisë nuk kanë fund. Janë në gjendje të harxhojnë dhjetëra mijëra euro për një dasmë a për një qejf dhe pastaj gjithë jetën të vuajnë për shkak të atij investimi kot. Në të njëjtën kohë as që çajnë kokën për të mirën e përbashkët, për fatin e tyre si komunitet e si komb. Mjafton t’i kenë punët mirë në shtëpi dhe as që lodhen për çka ndodh rreth tyre. E vetmja gjë me rëndësi për shqiptarët e Maqedonisë është paraja. Janë në gjendje të bëjnë çdo sakrificë vetëm për të pasur një veturë të mirë – mundësisht Golf (dhe një diplomë nga Universet i Tetovës ose ai i Shtulit – pse jo, kur nuk kërkon shumë mund e mend)! Përtej kësaj asgjë nuk është me rëndësi.

       Cilësia e shkollimit në të gjitha nivelet ka rënë në zero. Po e përsëris - zero. Të diplomuarit e universiteteve shqiptare në Maqedoni kanë problem me fjalinë e thjeshtë. Por, gjithsesi, kjo nuk u pengon të marrin një diplomë universiteti dhe më pas të kërkojnë edhe një master! Është kthyer në modë që gratë të bëhen mësuese me çdo kusht, pavarësisht nëse kanë shkollim dhe përgatitje përkatëse, ndërsa burrat me diplomë të punësohen në administratën publike, duke u bërë anëtare partie dhe krejt në fund të behën profesorë universitar. Në gjithë botën e qytetëruar ndodh që njerëz të shkencës të hidhen në politikë dhe të kontribuojnë për vendin e tyre, përderisa tek shqiptarët e Maqedonisë ndodh e kundërta. Fillimisht futen në politikë, bëjnë pak para, blejnë diplomat dhe titujt shkencor dhe bëhen profesor universitar. Numri i profesorëve të dalë nga ky kallëp është i jashtëzakonisht i madh në USHT dhe UEJL! Ndodh edhe kjo: punësohet si administrator i thjeshtë ose roje në universitet; pas katër viteve përfundon studimet në atë universitet, vazhdon me master dhe kthehet në profesor! Kjo quhet ngritje në karrierë tek ne! 

       Politika! Këtu kemi dështuar plotësisht. Jemi pa alternativë. Në pranverën e ardhshme do të kemi zgjedhje – ndoshta dy palë (presidenciale dhe parlamentare) – dhe shqiptarët e Maqedonisë kanë dy parti që nuk kanë çka të ofrojnë më. Dallimi i vetëm mes tyre janë germat në shkurtesat e emrave që kanë. (Kujdes! Të dyja kanë germën D në shkurtesë sepse pa këtë germë nuk gjen shqiptar në Maqedoni të të votoj). “Kungull e pacërkë” thoshte Qumili në një skeç të tij të vjetër! 

        Feja! Këtu ka marrë rolin primar. Si askund tjetër ndër shqiptarë.  E vetmja gjë që shteti nuk e pengon është ndërtimi i kishave dhe xhamive. Mjafton të gjesh financim dhe mund të ndërtosh ku të duash. Ku duhet e ku nuk duhet. Është kthyer në modë që dy mëhalla të një fshati të zihen për punën e hoxhës dhe ndërtojë secila nga një xhami për vete! Mundësisht xhamia të ketë dizajnin e xhamisë së Zagrebit. Po e bëre ndryshe, s’ke bërë gjë! Minarja duhet të jetë detyrimisht më e lartë se ajo e mëhallës tjetër. Me dy minare – eh kjo është arritje! Çuditërisht para për xhami gjenden kollaj. “Në filan katundin ndërtohet një xhami. Duhet të japim diçka”, është komenti që dëgjohet në jo pak familje shqiptare të Maqedoni ose tek sa bisedojnë me Skype me djemtë e tyre në Evropën Perëndimore! 

        Perla të këtilla gjen sa të duash ndër shqiptarët e Maqedonisë. Megjithatë nuk kam ndërmend të vazhdoj së numëruari. Këto që solla si shembuj janë vetëm për Blerinën që të kuptoj se bazën për ta zvogëluar shqipen e Maqedonisë e ka gabim.

         E pra, ja pse theksova që në fillim se isha në dyshim nëse duhej ose jo të shkruaj këtë koment. As ta “sulmoj” e as ta “mbroj atë shkrim! ”Fryma e shkrimit është në rregull. Reflekton realitetin e hidhur këtu në Maqedoni, por arsyet dhe faktet që merr për bazë nuk janë të qëlluara. Emra të njerëzve te suksesshëm nga këto vise ka plotë. Edhe ngjarje që mund të kujtohen. Megjithatë, Shqiptarët e Maqedonisë të ofrojnë çdo orë e ditë fakte me budallallëqet e tyre pa fund. Prandaj jemi aty ku jemi! Në tunel ku drita e shpresës për një të ardhme më të mirë nuk duket askund!

Wednesday, September 25, 2013

Edi, fali se nuk të kuptuan!

(Ky tekst fillimisht është botuar në www.respublica.al)

Shpërthyen të vetëshpallurit intelektualë. analistë e njohës të zhvillimeve politike mbarë shqiptare nga Maqedonia. Lexuan një deklaratë të Aldo Brumçit, apo Jozefina Topallit, por nuk dëgjuan, ose më saktë nuk e kuptuan çfarë tha Edi Rama pas takimit me Kryetarin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov! Me vjen turp kur mendoj se këto analiza e komente të disa shqiptarëve të Maqedonisë mund të i shkojnë në vesh Edi Ramës! Me vjen keq për injorancën e shprehur me aq zell! Një stuhi berishiane u ngrit kundër kryeministrit të ri shqiptar, i cili në fakt, në gjuhë diplomatike, me një fjali të vetme tha më shumë gjëra në favor të shqiptarëve të Maqedonisë, sa nuk ka thënë e gjithë klika berishiane në njëzet vitet e kaluara!

Folën me yrish dhe me emocione të papërmbajtshme, analistë të ndryshëm, intelektualë me cigare në dorë, mërgimtarë, gazetarë e kush jo! Thanë “Edi Rama nuk përmendi marrëveshjen e Ohrit”, duke kopjuar deklaratën e ministrit më të dobët që ka pasur një qeveri shqiptare – kuptohet, pas Flamur Nokës që është pa konkurrencë! Thane “Edi Rama barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët e Maqedonisë që janë 500, 600 e kush e di sa qindra mijë”, duke kopjuar Xhozin që nuk e do as Shkodra e vet! “Edi Rama nënçmoi UÇK-në”, folën edhe  mërgimtarët tanë nga Zvicra, të cilët kishin edhe një shoqatë të tyre atje!!!!

O burra! Qetësohuni dhe lexojeni ose dëgjojeni me vëmendje çka tha Edi Rama! Kujdes me pikat dhe presjet, se humb kuptimin fjalia pastaj! Kujdes, se Edi Rama ka një oratori shumë më të lartë se sa paraardhësit e tij, dhe ju duhet një vëmendje më e madhe për ta kuptuar! Fundi i fundit, kërkoni “përkthyes” nëse diçka ju duket e paqartë! Pastaj komentoni.
Por, çka tha Edi Rama?

Po citoj një burim të besueshëm, që besoj edhe berishianët me të thekur nuk kanë vërejtje sa i përket besueshmërisë - Top-Channel:
"Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nga ana tjetër zoti President më shprehu shqetësimin e tij, që të këtë më shumë vëmendje dhe më shumë hapësire për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh, jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice, por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve, atë që ne vetë nuk jemi gjendje ta plotësojmë për të tjerët", tha Rama. (http://top-channel.tv/artikull.php?id=264025)

Nëse ka nga ju që mund të thonë se Top-Channel është një media anti berishiane, atëherë mund të kërkoni për videon e plotë në You Tube. E gjeni kollaj.

Le ta marrim me radhë këtë deklaratë të Ramës. Ai thotë: “Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni”. E para, çfarë kuptoni ju me shprehjen “ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar”? A nuk do të thotë kjo se ai ka pasur dhe vazhdon të ketë në fokus të vëmendjes së vet pozitën e shqiptarëve në Maqedoni! Është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Është në shqip! Pastaj, çfarë nënkuptoni ju me shprehjen “për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë”? Më thoni një marrëveshje mes shqiptarëve dhe maqedonasve me pajtimin edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Nuk ka pse të lodheni shumë për ta gjetur! Është vetëm një e tillë: është Marrëveshja Kornizë e Ohrit! E kuptoj shqetësimin tuaj tendencioz. Nuk keni faj, ua ka larë trurin Berisha! Andaj, i thoni atij Brumçit se për fat të keq të tij, ai e paska përmendur Marrëveshjen e Ohrit! Pjesa e fundit e fjalisë së Ramës, vë theksin në raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Deri sa e thekson, do të thotë se diçka nuk shkon aty! E kuptoj se disa nga ju nuk jeni të kënaqur me këtë konkluzion të tij, sepse jeni duke fryrë barkun me faktin se keni përmbysur Marrëveshjen Kornizë të Ohrit!

Në pjesën e dytë të deklaratës së tij të cituar më lartë kryeministri Rama flet për pakicën maqedonase në Shqipëri. Por, kujdes: para se të filloj të komentoj kërkesën e Kryetarit të Maqedonisë, ka pikë. Përfundon mendimin e parë dhe fillon fjali e re, mendim i ri. Dhe ka të drejtë kur thotë se të nuk ke të drejtë morale e as politike të kërkosh diçka nga të tjerët, nëse vetë nuk e bën një gjë të tillë! Janë më pak a më shumë, pastaj, kjo është një çështje tjetër, zotërinj!

Më vjen keq kur shoh se sa shpejtë dhe pa menduar fare keni rënë në grackën e berishianëve! Era tyre ka vdekur, për fat të mirë dhe gjithçka që thonë këto ditë është vetëm inerci e kohës së kaluar! Koalicionin e Edi Ramës e votuan mbi një milionë shqiptarë. I dhanë (gati) shumicë të cilësuar! Ai ka misionin që të ndryshoj Shqipërinë, e bashkë me të edhe fatin tonë këtu në Maqedoni.


Në fund, ju siguroj se, sido që të jetë qasja e Edi Ramës ndaj Maqedonisë, ai do ju bëj të jeni krenar me shtetin amë, me Shqipërinë! Dhe sigurisht, duke njohur mirë mënyrën e bërjes së politikës, e di se Edi Rama nuk do të komentoj gjithçka u tha këto ditë komentues e gazetarë nga Maqedonia! Por, gjithsesi dua t’i bej me dije që të injoroj komentet e tilla se janë o tendencioze, o nga mosdija!