(Ky tekst fillimisht është botuar në www.respublica.al)
Shpërthyen të vetëshpallurit intelektualë. analistë e njohës të zhvillimeve
politike mbarë shqiptare nga Maqedonia. Lexuan një deklaratë të Aldo Brumçit, apo
Jozefina Topallit, por nuk dëgjuan, ose më saktë nuk e kuptuan çfarë tha Edi
Rama pas takimit me Kryetarin e Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov! Me
vjen turp kur mendoj se këto analiza e komente të disa shqiptarëve të Maqedonisë
mund të i shkojnë në vesh Edi Ramës! Me vjen keq për injorancën e shprehur me
aq zell! Një stuhi berishiane u ngrit kundër kryeministrit të ri shqiptar, i
cili në fakt, në gjuhë diplomatike, me një fjali të vetme tha më shumë gjëra në
favor të shqiptarëve të Maqedonisë, sa nuk ka thënë e gjithë klika berishiane në
njëzet vitet e kaluara!
Folën me yrish dhe me emocione të papërmbajtshme, analistë të ndryshëm, intelektualë
me cigare në dorë, mërgimtarë, gazetarë e kush jo! Thanë “Edi Rama nuk përmendi
marrëveshjen e Ohrit”, duke kopjuar deklaratën e ministrit më të dobët që ka
pasur një qeveri shqiptare – kuptohet, pas Flamur Nokës që është pa konkurrencë!
Thane “Edi Rama barazoi pakicën maqedonase në Shqipëri me shqiptarët e
Maqedonisë që janë 500, 600 e kush e di sa qindra mijë”, duke kopjuar Xhozin që
nuk e do as Shkodra e vet! “Edi Rama nënçmoi UÇK-në”, folën edhe mërgimtarët tanë nga Zvicra, të cilët kishin
edhe një shoqatë të tyre atje!!!!
O burra! Qetësohuni dhe lexojeni ose dëgjojeni me vëmendje çka tha Edi Rama! Kujdes me pikat dhe presjet, se humb kuptimin fjalia pastaj! Kujdes, se Edi Rama ka një oratori shumë më të lartë se sa paraardhësit e tij, dhe ju duhet një vëmendje më e madhe për ta kuptuar! Fundi i fundit, kërkoni “përkthyes” nëse diçka ju duket e paqartë! Pastaj komentoni.
Por, çka tha Edi
Rama?
Po citoj një burim të besueshëm, që besoj edhe berishianët me të thekur nuk
kanë vërejtje sa i përket besueshmërisë - Top-Channel:
"Ne
kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe
mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me
mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni. Nga
ana tjetër zoti President më shprehu shqetësimin e tij, që të këtë më shumë
vëmendje dhe më shumë hapësire për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e
marr këtë mesazh, jo thjesht si një detyrim të shtetit tonë ndaj çdo pakice,
por edhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, që ne nuk u kërkojmë të tjerëve,
atë që ne vetë nuk jemi gjendje ta plotësojmë për të tjerët", tha Rama. (http://top-channel.tv/artikull.php?id=264025)
Nëse ka nga ju që mund të thonë se
Top-Channel është një media anti berishiane, atëherë mund të kërkoni për videon
e plotë në You Tube. E gjeni kollaj.
Le ta marrim me radhë këtë deklaratë të Ramës. Ai thotë: “Ne
kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për zbatimin e marrëveshjeve dhe
mekanizmave të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë, lidhur me
mbarëvajtjen e bashkëjetesës mes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni”. E para, çfarë kuptoni ju me shprehjen “ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar”?
A nuk do të thotë kjo se ai ka pasur dhe vazhdon të ketë në fokus të vëmendjes
së vet pozitën e shqiptarëve në Maqedoni! Është shumë e thjeshtë për t’u
kuptuar. Është në shqip! Pastaj, çfarë nënkuptoni ju me shprehjen “për zbatimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave
të dakordsuara edhe me partnerët ndërkombëtarë”? Më thoni një marrëveshje mes
shqiptarëve dhe maqedonasve me pajtimin edhe të partnerëve ndërkombëtarë. Nuk
ka pse të lodheni shumë për ta gjetur! Është vetëm një e tillë: është Marrëveshja
Kornizë e Ohrit! E kuptoj shqetësimin tuaj tendencioz. Nuk keni faj, ua ka larë
trurin Berisha! Andaj, i thoni atij Brumçit se për fat të keq të tij, ai e paska
përmendur Marrëveshjen e Ohrit! Pjesa e fundit e fjalisë së Ramës, vë theksin në
raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Deri sa e thekson, do të thotë se
diçka nuk shkon aty! E kuptoj se disa nga ju nuk jeni të kënaqur me këtë
konkluzion të tij, sepse jeni duke fryrë barkun me faktin se keni përmbysur
Marrëveshjen Kornizë të Ohrit!
Në pjesën e dytë të deklaratës së tij të
cituar më lartë kryeministri Rama flet për pakicën maqedonase në Shqipëri. Por,
kujdes: para se të filloj të komentoj kërkesën e Kryetarit të Maqedonisë, ka
pikë. Përfundon mendimin e parë dhe fillon fjali e re, mendim i ri. Dhe ka të
drejtë kur thotë se të nuk ke të drejtë morale e as politike të kërkosh diçka
nga të tjerët, nëse vetë nuk e bën një gjë të tillë! Janë më pak a më shumë,
pastaj, kjo është një çështje tjetër, zotërinj!
Më vjen keq kur shoh se sa shpejtë dhe
pa menduar fare keni rënë në grackën e berishianëve! Era tyre ka vdekur, për
fat të mirë dhe gjithçka që thonë këto ditë është vetëm inerci e kohës së
kaluar! Koalicionin e Edi Ramës e votuan mbi një milionë shqiptarë. I dhanë (gati)
shumicë të cilësuar! Ai ka misionin që të ndryshoj Shqipërinë, e bashkë me të
edhe fatin tonë këtu në Maqedoni.
Në fund, ju siguroj se, sido që të jetë
qasja e Edi Ramës ndaj Maqedonisë, ai do ju bëj të jeni krenar me shtetin amë,
me Shqipërinë! Dhe sigurisht, duke njohur mirë mënyrën e bërjes së politikës, e
di se Edi Rama nuk do të komentoj gjithçka u tha këto ditë komentues e gazetarë
nga Maqedonia! Por, gjithsesi dua t’i bej me dije që të injoroj komentet e
tilla se janë o tendencioze, o nga mosdija!
No comments:
Post a Comment