Friday, August 16, 2013

100 ditë për qytetarët - 1000 ditë për veten!

Këto ditë më shumë kryetarë komunash vendosën të flasin për gjithçka kanë bërë në 100 ditshin e parë të mandatit të tyre katërvjeçar! Dhe siç ndodh rëndom, folën për suksese dhe arritje që paraardhësit e tyre nuk mundën t’i bëjnë për katër ose tetë vite pushtet! Realizuan gjithçka që premtuan, ndërsa ato pak premtimet që eventualisht mbetën pa u realizuar, janë për faj të ish kryetarëve. Komunat me kryetarë shqiptarë, para se gjithash, Tetova, Gostivari apo Struga, si zakonisht trashëgojnë miliona euro borxhe edhe pse paraardhësit e tyre na thanë se tashme kishin shlyer miliona euro! Nuk e di kush gënjeu, ata dje, apo këta sot? Megjithatë, për qytetarët jeta vazhdon me moton “sot për nesër” dhe me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë.

Thënë shkurt e shqip, asgjë të re nuk thanë! Edhe këta si ato të mëparshmit, përsërisin fraza që tashmë janë më se banale! Çfarë është kjo ironi që dëgjojmë se vetëm brenda 100 ditëve kanë realizuar, 70, 80 apo edhe 100% të premtimeve elektorale. Si ta kuptojmë këtë mesazh të tyre? Se janë shumë të zotët, apo se kërkesat e qytetarëve janë aq të vogla sa mund të realizohen për tre muaj? Na paskan mbuluar disa gropa nëpër rrugët e qytetit – punë që, disa punëtorë, mund ta bëjnë për dy tre ditë. Na paskan paguar pagat e mbetura – punë që bëhet me një të rënë të lapsit dhe me para publike dhe jo me paratë e xhepit të tyre. Na paskan nisur iniciativë për të pavarësuar një shkollë – punë që nuk merr më shumë se një orë për të përpiluar kërkesën!

Nejse! Do ta pranojmë si të qenë faktin se për 100 ditë realizuan pjesën dërmuese të premtimeve! Dakord! Tani, rrjedhimisht shtrohet pyetja: çfarë do të bëni në 3 vite e 9 muaj të mbetura të mandatit? Nëse i referohemi traditës, do të thotë se do angazhoheni, që kryetarit të ardhshëm të komunës që do vij pas jush, t’i leni sa më shumë borxhe, të mbushni administratën lokale me njerëz tuaj, të leni rrugët të çahen e hapen përsëri, të uzurponi çdo hapësirë për ndërtime si t’ju teket, të blini ndonjë veturë të re zyrtare se ajo e vjetra nuk ju pëlqen, të shfaqeni nëpër ceremoni dhe rituale që organizohen nga të tjerët sa për të na treguar se jeni ende gjallë dhe në krye të komunës; të kërkoni ndonjë qytet në Shqipëri ose Turqi për t’u vëllazëruar (çfarë idiotizmi ky!), të prisni në takime protokollare ambasadorë të vendeve të ndryshme që edhe ashtu nuk kanë çfarë të bëjnë tjetër në Maqedoni, veçse të bredhin qytet më qytet e fshat më fshat...

Kështu ka ndodhur me paraardhësit tuaj! Shpresoj që kjo të mos ju ndodh edhe juve! Do të doja të ndryshohet kjo frymë dhe ky perceptim që shumica e qytetarëve kanë për komunën si institucion. Ajo të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo vetëm një barrë më shumë për qytetarët. Duhet të bëni diçka që të ndryshoj rrjedha e ngjarjeve! Që Tetova, Gostivari, Struga të kthehen në qytete bashkëkohore, dhe jo kasaba siç janë sot! Të shtrohen rrugës sipas standardeve dhe jo  të arnohen disa gropa dhe pjesa tjetër e qyteteve mbetet e izoluar, e dërmuar e dhunuar nga pluhuri dhe plehrat! Të vendoset rregull në ndërtime dhe jo çdo kush të ndërtoj si i kujtohet sepse ka lidhje në komunë! Kur niset një projekt – t’i shkohet deri në fund (e jo si rruga e Gostivarit në Tetovë (intelektualet dhe gazetarët e quajnë “Ilindenska”)) që është harruar kur ka filluar të ndërtohet dhe akoma nuk është përfunduar. Çdo projekt të jetë i menduar mirë që të ketë jetëgjatësi dhe jo të mund të prishet sapo të vij në pushtet kryetari tjetër (si sheshi i Gostivarit që herë hapët e herë mbyllet për trafik). Në Tetovë thuajse nuk gjen një park ose një hapësirë të gjelbëruar! Vetëm beton ose pluhur e baltë! Qentë janë pjesë e zakonshme e imazheve që vijnë nga qytetet tona – merrni masa ta zgjidhni këtë problem dhe mos u mjaftoni me akuzat se qentë ua sjellin nga qytetet tjera! Hapësirat përreth kazanëve të plehrave janë kthyer në zonë të kontaminuar me rrezik të lartë për jetën! Trotuaret vazhdojnë të uzurpohen nga shitësit me ose pa dyqane! Trafiku nuk do koment!... Rregulloni këto dhe shumë probleme tjera duke filluar nga zyrat tuaja të cilët ngjajnë me do ndërtesa gri komuniste që të trishtojnë kur futesh!


Gjithsesi, Ju uroj për sukseset e 100 ditëve të para, por vazhdoj të uroj se pas jush, nuk do të kemi një kryetar të ri që vetëm pas tre muajsh do të dal të na thotë se sa borxhe ka trashëguar, sa gropa ka mbuluar dhe sa takime të rëndësishme ka realizuar!

Tuesday, June 25, 2013

Edi Rama në sytë e shqiptarëve të Maqedonisë – fundi i botës apo rilindja e shpresës?

Shqiptarët e Maqedonisë duket se e kanë shumë të vështirë të kuptojnë zhvillimet politike në Shqipëri. Ky konkluzion duket edhe më i vështirë për t’u gëlltitur, kur edhe disa të ashtuquajtur “analistë dhe njohës të politikës në Shqipëri” formulojnë përfundime bazuar në paragjykime dhe mosnjohje totale të rrethanave atje!

Nuk është i vogël numri i atyre që fitoren e të majtës në Shqipëri e shohin si fund i botës, si fund i Shqipërisë. Janë bërë analiza të ndryshme në përpjekje për të gjetur arsyen pse shqiptarët e Maqedonisë, dhe jo vetëm, kanë një dashuri të madhe për Berishën dhe urrejtje Partinë Socialiste dhe drejtuesit e saj – Nano, Majko apo Rama! Disa e lidhin me fenë, të tjerët me ndarjet krahinore e dialektore. Të tretët e lidhin me emrin e partisë duke aluduar në socialistët e Serbisë... por unë them se në thelb është injoranca, mosnjohja dhe keqinformimi. Si shkas për këtë shkrim kam komentet e vazhdueshme të shqiptarëve të Maqedonisë mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe veçanërisht komentin e bërë nga gazetari Ismail Sinani, i cili kërkon nga Rama që më shumë të interesohet për Kosovën dhe Maqedoninë se sa për Greqinë! Dhe më tragjikja: kërkon nga Rama të kërkoj falje shqiptarëve që i ka dhuruar Goran Bregoviqit “Çelësin e Tiranës”!!!!

Kjo logjikë dhe kërkesat e tilla janë normale për ne që jetojmë në Maqedoni, por mund të duket qesharake për të tjerët. Gjithsesi, duhet ta themi hapur se në thelb të urrejtjes për Ramën dhe PS-në është pikërisht, mosdija, mosnjohja,  injoranca dhe ndjenja e inferioritetit karshi Edi Ramës. E di se në rast të botimit të këtij shkrimi do të sulmohem më keq se Ministri i Jashtëm i Esat Pashë Toptanit në shfaqjen “Dy krisma në Paris”, por kjo për mua është e vërteta! Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë nuk e kuptojnë çfarë thotë Rama. Fjalitë e tij janë “matematikë e rëndë” për ta! Dhe pasi nuk e kuptojmë, atëherë sigurisht që “ka folur greqisht dhe keq për Shqipërinë dhe shqiptarët”.

Një i njohur i im me tha: “E dua Sali Berishën se e kam dëgjuar të thotë gjera të mira për Kosovën dhe asnjëherë nuk e ka dëgjuar një gjë të tillë nga Rama”! Pra, më thoni se si mund të përkufizohet një konkluzion i këtillë, përveç se si mosdije, mos informim apo konkluzion i bazuar në fakte gjysmake dhe plotësisht emocionale.

T’i kthehemi komentit të Ismail Sinanit mbi çelësin për Goran Bregoviqit! Në këndvështrimin tim, nuk ka asgjë të keqe që Bregoviqit iu dha kjo mirënjohje. Për punën që ka bërë në fushën e muzikës edhe e meriton dhe është nderuar gjithandej nëpër botë. Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë edhe sot e gjithë ditën dëgjojnë muzikën e tij të krijuar në kohën kur ishte lider i grupit sarajevas “Bjelo Dugme”! E dinë këngën “Kosovka” të kënduar në gjuhën shqipe! Dhe për çudi irritohen kur një kryetar bashkie në Shqipëri i ndan një çmim. Unë do ia jepja Bregoviqit edhe titullin qytetar nderi, me arsyetimin e vetëm se në kohën kur të gjithë i shihnin shqiptarët si njerëz pa vlerë dhe të dëmshëm e të rrezikshëm, ai morri guximin të realizoj një këngë në gjuhën shqipe. Dhe në të njëjtën kohë, po këto analistë nuk e shohin e as nuk e dëgjojnë Sali Berishën kur thotë se një Damir Fazlliq e ka mik shtëpie, se po këtij Fazlliqit dhe shokëve të tij ua ka lënë në dorë sistemin energjetik të Shqipërisë dhe Kosovës, se ky Fazlliq mund të bëj çfarë të dojë nëpër Shqipëri. Se për shkak të lidhjeve të Berishës me serbët, Kosova vazhdon të jetoj “dy ore me drita, katër pa to”! Se pikërisht ky Sali ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë ku zotohet se nuk do të teproj  me interesimin e shtetit shqiptar për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Se pikërisht ky Sali ishte ai që për interesa të ngushta ishte gati t’ia dhuronte edhe Sarandën, jo vetëm detin, Greqisë!

Sa i përket komentit të tij për raportet me Greqinë nuk dua të bëj asnjë vlerësim, pasi nga sa thash më lartë, duket qartë kush ka ushqyer më shumë “dashuri” për Greqinë!

Çdonjëri që ndjek sadopak zhvillimet në Shqipëri e di se ishte pikërisht Partia Socialiste e cila e kundërshtoi dhënien e detit Greqisë. Ishin pikërisht deputetët e Partisë Socialiste që denoncuan të gjitha aferat e bandës se Saliut me serbet e Fazlliqit! Dhe në bazë të kësaj, si mundet Rama të trajtohet si pro-grek e Saliu si patriot?! Dhe jo pak herë më ka ndodhur që kur u them fakte të këtilla, më përgjigjen duke më thënë se të dy nuk bëjnë! Dhe të futësh dy gjera të kundërta në një thes, vetëm se nuk ta do ta pranosh të vërtetën, është shkalla më e lartë e injorancës!

Për mua patriot më i madh është ai që do të mundësoj që shqiptarët të jetojnë më mirë! Të ndërtosh rrugë e tunele nuk do të thotë patriotizëm, se nuk i ndërtoi Berisha ato objekte me paratë e tij. Enver Hoxha ndërtoi shumë më shumë objekte infrastrukturore dhe shumica e tyre janë ende në shërbim të shqiptarëve (hidrocentralet për shembull), por vazhdon të sulmohet, ndërsa Berisha më një rrugë kombi, që shqiptarët do e paguajnë sa s’bën, mbetet patriot. Kështu funksionon logjika e vëllezërve të mi shqiptarë të Maqedonisë dhe analistëve të tyre! Për fat të keq!

Gjithsesi, ndryshimi i madh i pritshëm në Shqipëri sigurisht se do të ndikoj në ndryshimin e bindjes që shumica e shqiptarëve në Maqedoni kanë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Sot Edi Rama është shpresa jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë! Pres që kjo valë ndryshimi ta përfshij edhe Kosovën edhe Maqedoninë! Në këto 22 vite “demokraci” çështja shqiptare në Ballkan ka avancuar dukshëm: Kosova u pavarësua, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s, Maqedonia ndryshoi kushtetutën, por shqiptarët nga ana tjetër u nënçmuan, përbuzën, varfëruan, u detyruan të mohojnë veten dhe vendin e tyre, pikërisht nën udhëheqjen e atyre qe e ishin në krye kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, kur Kosova u pavarësua dhe shqiptarët e Maqedonisë fituan Marrëveshjen e Ohrit! Prandaj këtë fitore e socialistëve në Shqipëri e shoh si një ogur se gjërat duhet dhe do të ndryshojnë edhe tek ne.

Edi Rama ka mbi shpatulla detyrën e madhe për të rilindur shpresën te shqiptarët. Do ta ketë të vështire pasi më këtë fitore ka mundur gjysmën e të keqes (Berishën), sepse pjesën tjetër të keqes e ka me vete (Metën)! Besoj se ai është i vetëdijshëm për këtë. Por, ne nuk na mbetet gjë tjetër që, pasi ia dhamë shansin, t’i urojmë sukses dhe ta ndihmojmë! Ndryshe, nuk do ta lëmë të qëndroj gjatë në pushtet. Tani e dimë formulën e rrëzimit të atyre që nuk mbajnë premtimet!


Në fund, jam i bindur se Rama kryeministër do të jetë i mirëpritur sa herë që do të vendos të vij në Maqedoni. Jam i bindur se ai ka të gjitha mundësitë që kur të vij tek ne, të na jap zemër dhe të na bej të ndjehemi krenar.