Shqiptarët e Maqedonisë duket se e kanë shumë të vështirë
të kuptojnë zhvillimet politike në Shqipëri. Ky konkluzion duket edhe më i vështirë
për t’u gëlltitur, kur edhe disa të ashtuquajtur “analistë dhe njohës të
politikës në Shqipëri” formulojnë përfundime bazuar në paragjykime dhe
mosnjohje totale të rrethanave atje!
Nuk është i vogël numri i atyre që fitoren e të majtës në
Shqipëri e shohin si fund i botës, si fund i Shqipërisë. Janë bërë analiza të
ndryshme në përpjekje për të gjetur arsyen pse shqiptarët e Maqedonisë, dhe jo
vetëm, kanë një dashuri të madhe për Berishën dhe urrejtje Partinë Socialiste
dhe drejtuesit e saj – Nano, Majko apo Rama! Disa e lidhin me fenë, të tjerët
me ndarjet krahinore e dialektore. Të tretët e lidhin me emrin e partisë duke
aluduar në socialistët e Serbisë... por unë them se në thelb është injoranca,
mosnjohja dhe keqinformimi. Si shkas për këtë shkrim kam komentet e vazhdueshme
të shqiptarëve të Maqedonisë mbi zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe veçanërisht
komentin e bërë nga gazetari Ismail Sinani, i cili kërkon nga Rama që më shumë
të interesohet për Kosovën dhe Maqedoninë se sa për Greqinë! Dhe më tragjikja:
kërkon nga Rama të kërkoj falje shqiptarëve që i ka dhuruar Goran Bregoviqit “Çelësin
e Tiranës”!!!!
Kjo logjikë dhe kërkesat e tilla janë normale për ne që
jetojmë në Maqedoni, por mund të duket qesharake për të tjerët. Gjithsesi,
duhet ta themi hapur se në thelb të urrejtjes për Ramën dhe PS-në është pikërisht,
mosdija, mosnjohja, injoranca dhe
ndjenja e inferioritetit karshi Edi Ramës. E di se në rast të botimit të këtij
shkrimi do të sulmohem më keq se Ministri i Jashtëm i Esat Pashë Toptanit në
shfaqjen “Dy krisma në Paris”, por kjo për mua është e vërteta! Shumica e
shqiptarëve të Maqedonisë nuk e kuptojnë çfarë thotë Rama. Fjalitë e tij janë
“matematikë e rëndë” për ta! Dhe pasi nuk e kuptojmë, atëherë sigurisht që “ka
folur greqisht dhe keq për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
Një i njohur i im me tha: “E dua Sali Berishën se e kam dëgjuar
të thotë gjera të mira për Kosovën dhe asnjëherë nuk e ka dëgjuar një gjë të
tillë nga Rama”! Pra, më thoni se si mund të përkufizohet një konkluzion i këtillë,
përveç se si mosdije, mos informim apo konkluzion i bazuar në fakte gjysmake
dhe plotësisht emocionale.
T’i kthehemi komentit të Ismail Sinanit mbi çelësin për
Goran Bregoviqit! Në këndvështrimin tim, nuk ka asgjë të keqe që Bregoviqit iu
dha kjo mirënjohje. Për punën që ka bërë në fushën e muzikës edhe e meriton dhe
është nderuar gjithandej nëpër botë. Shumica e shqiptarëve të Maqedonisë edhe
sot e gjithë ditën dëgjojnë muzikën e tij të krijuar në kohën kur ishte lider i
grupit sarajevas “Bjelo Dugme”! E dinë këngën “Kosovka” të kënduar në gjuhën
shqipe! Dhe për çudi irritohen kur një kryetar bashkie në Shqipëri i ndan një
çmim. Unë do ia jepja Bregoviqit edhe titullin qytetar nderi, me arsyetimin e
vetëm se në kohën kur të gjithë i shihnin shqiptarët si njerëz pa vlerë dhe të
dëmshëm e të rrezikshëm, ai morri guximin të realizoj një këngë në gjuhën
shqipe. Dhe në të njëjtën kohë, po këto analistë nuk e shohin e as nuk e dëgjojnë
Sali Berishën kur thotë se një Damir Fazlliq e ka mik shtëpie, se po këtij
Fazlliqit dhe shokëve të tij ua ka lënë në dorë sistemin energjetik të Shqipërisë
dhe Kosovës, se ky Fazlliq mund të bëj çfarë të dojë nëpër Shqipëri. Se për
shkak të lidhjeve të Berishës me serbët, Kosova vazhdon të jetoj “dy ore me
drita, katër pa to”! Se pikërisht ky Sali ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë ku
zotohet se nuk do të teproj me
interesimin e shtetit shqiptar për shqiptarët që jetojnë në Serbi. Se pikërisht
ky Sali ishte ai që për interesa të ngushta ishte gati t’ia dhuronte edhe Sarandën,
jo vetëm detin, Greqisë!
Sa i përket komentit të tij për raportet me Greqinë nuk
dua të bëj asnjë vlerësim, pasi nga sa thash më lartë, duket qartë kush ka
ushqyer më shumë “dashuri” për Greqinë!
Çdonjëri që ndjek sadopak zhvillimet në Shqipëri e di se
ishte pikërisht Partia Socialiste e cila e kundërshtoi dhënien e detit Greqisë.
Ishin pikërisht deputetët e Partisë Socialiste që denoncuan të gjitha aferat e
bandës se Saliut me serbet e Fazlliqit! Dhe në bazë të kësaj, si mundet Rama të
trajtohet si pro-grek e Saliu si patriot?! Dhe jo pak herë më ka ndodhur që kur
u them fakte të këtilla, më përgjigjen duke më thënë se të dy nuk bëjnë! Dhe të
futësh dy gjera të kundërta në një thes, vetëm se nuk ta do ta pranosh të vërtetën,
është shkalla më e lartë e injorancës!
Për mua patriot më i madh është ai që do të mundësoj që
shqiptarët të jetojnë më mirë! Të ndërtosh rrugë e tunele nuk do të thotë patriotizëm,
se nuk i ndërtoi Berisha ato objekte me paratë e tij. Enver Hoxha ndërtoi shumë
më shumë objekte infrastrukturore dhe shumica e tyre janë ende në shërbim të
shqiptarëve (hidrocentralet për shembull), por vazhdon të sulmohet, ndërsa
Berisha më një rrugë kombi, që shqiptarët do e paguajnë sa s’bën, mbetet
patriot. Kështu funksionon logjika e vëllezërve të mi shqiptarë të Maqedonisë
dhe analistëve të tyre! Për fat të keq!
Gjithsesi, ndryshimi i madh i pritshëm në Shqipëri
sigurisht se do të ndikoj në ndryshimin e bindjes që shumica e shqiptarëve në
Maqedoni kanë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën. Sot Edi Rama është shpresa
jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për gjithë shqiptarët kudo që janë! Pres që
kjo valë ndryshimi ta përfshij edhe Kosovën edhe Maqedoninë! Në këto 22 vite
“demokraci” çështja shqiptare në Ballkan ka avancuar dukshëm: Kosova u
pavarësua, Shqipëria u bë pjesë e NATO-s, Maqedonia ndryshoi kushtetutën, por
shqiptarët nga ana tjetër u nënçmuan, përbuzën, varfëruan, u detyruan të
mohojnë veten dhe vendin e tyre, pikërisht nën udhëheqjen e atyre qe e ishin në
krye kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, kur Kosova u pavarësua dhe shqiptarët
e Maqedonisë fituan Marrëveshjen e Ohrit! Prandaj këtë fitore e socialistëve në
Shqipëri e shoh si një ogur se gjërat duhet dhe do të ndryshojnë edhe tek ne.
Edi Rama ka mbi shpatulla detyrën e madhe për të rilindur
shpresën te shqiptarët. Do ta ketë të vështire pasi më këtë fitore ka mundur
gjysmën e të keqes (Berishën), sepse pjesën tjetër të keqes e ka me vete
(Metën)! Besoj se ai është i vetëdijshëm për këtë. Por, ne nuk na mbetet gjë
tjetër që, pasi ia dhamë shansin, t’i urojmë sukses dhe ta ndihmojmë! Ndryshe,
nuk do ta lëmë të qëndroj gjatë në pushtet. Tani e dimë formulën e rrëzimit të
atyre që nuk mbajnë premtimet!
Në fund, jam i bindur se Rama kryeministër do të jetë i
mirëpritur sa herë që do të vendos të vij në Maqedoni. Jam i bindur se ai ka të
gjitha mundësitë që kur të vij tek ne, të na jap zemër dhe të na bej të
ndjehemi krenar.
No comments:
Post a Comment